Secondary Adv

Fillojnë pasojat e luftës, inflacioni arrin në 2.8 për qind, niveli më i lartë në dy vitet e fundit

Rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe shtrenjtimi i karburanteve kanë nisur të japin efektet e para në ekonominë shqiptare, duke çuar inflacionin në nivelin më të lartë të dy viteve të fundit.

Rritje e çmimeve pas shtrenjtimit të karburanteve

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, norma e inflacionit e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit arriti në 2.8 për qind në muajin prill 2026, nga 2.6 për qind që ishte në mars.

 

Ky është niveli më i lartë i inflacionit që nga janari i vitit 2024, periudhë kur ekonomia shqiptare vazhdonte të ndikohej nga pasojat e luftës Rusi-Ukrainë. Rritja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve, të cilat pas nisjes së krizës në Lindjen e Mesme kaluan mbi nivelin e 200 lekëve për litër, nga rreth 175 lekë që ishin deri në muajin shkurt.

 

Transporti dhe qiratë ndikuan më shumë në inflacion

Efektin kryesor në rritjen e kostos së jetesës e ka dhënë grupi i transportit, ku çmimet u rritën me 8.5 për qind në bazë vjetore.

Pas tij renditet grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me një rritje prej 4.7 për qind.

 

Rritje janë regjistruar edhe në grupet “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.1 për qind, “Argëtim, sport dhe kulturë” me 3.7 për qind, si dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” me nga 2.8 për qind secili.

Krahasuar me muajin mars, çmimet e konsumit u rritën me 0.3 për qind, ndërsa grupi i transportit regjistroi rritjen mujore më të lartë, me 1 për qind.

 

Banka e Shqipërisë mban normën bazë në 2.5 për qind

Në mbledhjen e fundit, Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5 për qind.

 

Guvernatori Gent Sejko deklaroi se rritja e çmimeve të naftës dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare pritet të shkaktojë një rritje të lehtë dhe të përkohshme të inflacionit gjatë vitit 2026.

Sipas tij, goditja aktuale pritet të jetë kalimtare dhe nuk parashikohet të lërë pasoja afatgjata në ekonominë shqiptare.

 

INSTAT: Çmimet vijojnë të rriten në shumicën e grupeve

Të dhënat e INSTAT tregojnë se ndikimin më të madh në inflacionin vjetor e dhanë grupet “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 0.93 pikë përqindje dhe “Transporti” me 0.55 pikë përqindje.

 

Ndërkohë, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” kontribuoi me 0.47 pikë përqindje në rritjen e përgjithshme të çmimeve.

Rritje janë regjistruar edhe në sektorët e shërbimeve, restoranteve, kujdesit personal dhe arsimit, ndërsa i vetmi grup që shënoi ulje ishte ai i “Veshjeve dhe këpucëve”, me 0.2 për qind.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat